CRCA Lajme

Përdorimi i termave denigrues në diskursin publik përforcon dhunën!

23/04/2025

DEKLARATË PUBLIKE: Përdorimi i termave denigrues në diskursin publik përforcon dhunën, përjashtimin dhe diskriminimin ndaj komuniteteve të cënueshme në Shqipëri

Tiranë, 23 Prill 2025 – CRCA-ECPAT Shqipëri, me anë të kësaj deklarate publike, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me deklaratën e bërë nga Kryeministri i vendit dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, gjatë ditës së djeshme në një takim elektoral, ku ju referua kundërshtarëve politikë si “autikë”.

Ky lloj krahasimi është jo vetëm thellësisht i papërshtatshëm, por përbën një gjuhë diskriminuese që fyen dhe margjinalizon një komunitet të tërë – individë dhe familje – që përballen përditë me sfida të mëdha për të pasur një jetë me dinjitet, respekt dhe mundësi të barabarta në shoqëri. Autizmi është një çrregullim neurologjik i spektrit zhvillimor, jo një mjet për tallje, përçmim apo denigrim politik. Përdorimi i gabuar apo fyes stigmatizon personat me autizëm, duke i paraqitur ata si simbol të diçkaje negative apo për të qeshur. Ai gjithashtu dëmton përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj diversitetit, si dhe përçon një mesazh të gabuar tek opinioni publik, sidomos tek të rinjtë që mësojnë të përdorin gjuhën e përjashtimit në vend të gjuhës së pranimit.

Si drejtues i Qeverisë dhe përfaqësues i një shteti palë në Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Kryeministri i Shqipërisë duhet të jetë në pararojë të mbrojtjes së dinjitetit dhe të drejtat të të gjithë qytetarëve, pa përjashtim. Gjuha që përdoret nga një drejtues politik ka fuqi të madhe formësuese dhe duhet të reflektojë respektin për grupet më të cenueshme të shoqërisë, jo t’i përdorë ata si mjete për fitim politik.

Nisur nga kjo ngjarje, që nuk është e para gjatë kësaj fushate zgjedhore, CRCA-ECPAT Shqipëri i drejton këtë thirrje të gjithë drejtuesve të partive politike në zgjedhje:

  1. Ndaloni një herë e mirë përdorimin e fjalëve dhe gjuhës fyese, paragjykuese apo diskriminuese, jo vetëm ndaj personave dhe komuniteteve të cënueshme, por edhe ndaj njeri-tjetrit. Fëmijët dhe të rinjtë duhet të mësojnë vlerat më të mira të qytetarisë nga lidershipi politik dhe jo sesi të bullizojnë, tallin apo denigrojnë njëri-tjetrin.
  1. Angazhohuni të gjithë së bashku për zhvillimin e një Kodi Etik kundër gjuhës së urrejtjes, etiketimit, denigrimit apo paragjykimit në hapësirën publike.

Ne mendojmë se kjo ngjarje duhet të shërbejë si një mundësi e mirë për të gjithë lidershipin politik në Shqipëri, për të reflektuar dhe përmirësuar qasjen ndaj të gjithë komuniteteve dhe personave të cënueshëm. Marrja e përgjegjësisë publike është shenjë e një lidershipi të pjekur, të ndërgjegjshëm dhe të gatshëm ta bëjë Shqipërinë një kandidat të denjë për të qenë anëtar i Bashkimit Europian.

Facebook
LinkedIn
Twitter
WhatsApp

Të tjera

11/30/2025

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) vendosi masë administrative ndaj televizionit A2CNN, pas ankesës…

11/24/2025

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare Elhaida Dani ka bërë hapin e saj të…

11/20/2025

CRCA-ECPAT Shqipëri, ALO 116 dhe iSIGURT.al hapën sot zyrtarisht fushatën kombëtare kundër bullizmit…

11/20/2025

Në Ditën Botërore të Fëmijëve, Eurochild publikon raportin e saj kryesor, “Fëmijëri të…

11/20/2025

A e dini se deri rreth vitit 2010 Shqipëria përdorte versionin e Konventës…

11/05/2025

Pas më shumë se një dekade avokatësie nga CRCA-ECPAT Shqipëri, autoritetet në vend…