Publikohet Raporti 2025 i Eurochild për fëmijët në nevojë në mbarë Europën. Ky është viti i tretë që Shqipëria bëhet pjesë e këtij raporti të rëndësishëm për avokatësinë për fëmijët dhe të drejtat e tyre kudo në Europë.
Bruksel, 20 Nëntor 2025 – Në Ditën Botërore të Fëmijëve, Eurochild publikon raportin e saj kryesor, “Fëmijëri të pabarabarta: Të drejtat në letër duhet të jenë të drejta në praktikë”, i cili përmbledh informacionin e mbledhur nga 84 anëtarë të Eurochild në 36 vende të Europës dhe jep një panoramë të gjendjes së të drejtave të fëmijëve dhe varfërisë së fëmijëve në këto vende. Duke u mbështetur në prova nga organizatat dhe profesionistët që punojnë me fëmijët, raporti ofron një analizë të thelluar, në këndvështrimin e të drejtave të fëmijëve, për t’u siguruar që të drejtat në letër të bëhen të drejta në praktikë.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2024, 24.2 për qind e fëmijëve në BE kanë qenë në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Ndërsa në të gjithë BE-në ka pasur një përmirësim të lehtë, nga 24.8 për qind në vitin 2023, varfëria e fëmijëve është rritur në 10 vende, është ulur në 16 vende dhe ka mbetur e pandryshuar në një vend. Bullgaria ka përqindjen më të lartë të fëmijëve në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social, me 35.1 për qind, e ndjekur nga Spanja me 34.6 për qind dhe Rumania me 33.8 për qind.
“Pavarësisht përparimit të bërë në disa vende, varfëria dhe përjashtimi social i fëmijëve mbeten shumë të larta në Europë. Mungesa e aksesit në shërbime bazë dhe diskriminimi i vazhdueshëm vazhdojnë të prekin fëmijët më të cenueshëm. Ndërsa më shumë vende përballen me sulme që minojnë demokracinë dhe kufizojnë veprimtarinë e atyre që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, udhëheqësit europianë duhet të bashkojnë forcat me shoqërinë civile për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e çdo fëmije në Europë dhe më gjerë.” – Tanya Ward, Presidente e Eurochild.
Përmes profileve të strukturuara të secilit vend, raporti trajton një gamë të gjerë të drejtash të sanksionuara në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, përfshirë pjesëmarrjen e fëmijëve, sistemet e mbrojtjes, shëndetin mendor dhe varfërinë e fëmijëve. Raporti fokusohet gjithashtu në të drejtat e fëmijëve në mjedisin dixhital, strehimin e përballueshëm, investimet publike në mbrojtjen sociale, progresin në zbatimin e Garancisë Europiane për Fëmijët dhe gjetjet më të fundit nga Semestri Europian 2025 dhe procesi i zgjerimit të BE-së, duke monitoruar njëkohësisht lëvizjet anti-të drejtave.
Raporti jep rekomandime konkrete se si vendet mund të forcojnë përpjekjet për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e fëmijëve.