Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) vendosi masë administrative ndaj televizionit A2CNN, pas ankesës së paraqitur nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC), për përdorimin e gjuhës së urrejtjes, mizogjinisë dhe deklaratave diskriminuese në emisionin “Off Record”, transmetuar më 28 tetor 2025.
Në ankesën drejtuar AMA-s nga GADC Shqipëri theksohej se emisioni u shndërrua në një hapësirë poshtërimi publik ndaj aktivistes Mirela Arqimandriti, Drejtuese e GADC dhe z. Altin Hazizaj, Drejtues i CRCA Shqipëri. Të ftuarit në studio: pastor Akil Pano, piktori Robert Aliaj dhe deputeti Zija Ismaili, përdorën shprehje seksiste, mizogjene, homofobike dhe fyese, duke shkelur detyrimet ligjore për respektimin e dinjitetit njerëzor dhe ndalimin e gjuhës së urrejtjes në median audiovizive.
Pas verifikimeve të kryera, AMA konstatoi shkelje të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive” dhe të Kodit të Transmetimit, përfshirë detyrimin për të mos nxitur urrejtje ndaj individëve apo grupeve për shkak të gjinisë, orientimit seksual apo identitetit gjinor. Këshilli i Ankesave i propozoi Bordit të AMA-s vendosjen e masës administrative ndaj A2CNN, propozim që u miratua me Vendimin Nr. 99, datë 17.11.2025.
GADC dhe CRCA e përshëndetën këtë vendim, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm për të frenuar normalizimin e mizogjinisë, dizinformimit dhe gjuhës së urrejtjes në media. Sipas organizatave, ndërhyrja e AMA-s dërgon një mesazh të qartë se standardet etike nuk mund të anashkalohen dhe se debati publik nuk duhet shndërruar në një tribunë dhune ndaj grave, vajzave apo komuniteteve të margjinalizuara.
Organizatat theksuan se në shumë media dhe programe televizive nuk pati debat mbi ligjin, por ato u përdorën për sulme ndaj dinjitetit dhe sigurisë së individëve që mbrojnë të drejtat e njeriut. “AMA duhet të vazhdojë monitorimin e dizinformimit, gjuhës diskriminuese dhe asaj të urrejtjes në media – tha Altin Hazizaj – duke hartuar udhëzime të reja që forcojnë mbrojtjen e grupeve të cenueshme në Shqipëri.”
Vendimi i AMA-s përbën një precedent të rëndësishëm për përgjegjësinë mediatike dhe mbrojtjen e standardeve profesionale, në një kohë kur sulmet verbale dhe dizinformimi ndaj aktivistëve dhe komuniteteve të margjinalizuara po shtohen.