CRCA Lajme

Mos diskriminoni! Mbështesni mbrojtjen nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual online të fëmijëve brenda dhe jashtë BE-së!

16/10/2023

Ne besojmë se vetëm një përgjigje e mire-koordinuar në nivel europian dhe global mund t’i mbrojë fëmijët nga abuzimi seksual në internet dhe çdo formë tjetër e dhunës në internet.

Drejtuar:

Znj. Ursula von der Leyen, Presidente, Komisioni i Bashkimit Europian

Z. Charles Michael, President, Këshilli i BE-së

Znj. Roberta Metsola, Presidente, Parlamenti Europian

Të nderuar,

Është kënaqësi t’ju urojmë mirëseardhjen tuaj sot në Tiranë, Shqipëri, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit. Ne pritëm që pjesë e diskutimeve të këtij Samiti, të bëhej edhe çështja e mbrojtjes së fëmijëve jashtë BE-së nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual në internet, por kjo nuk ndodhi!

Ndërkohë që më 11 maj 2023, shoqëria civile në të gjithë Bashkimin Europian mirëpriti draftin e ri të Rregullores së Komisionit të BE-së për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës Seksuale ndaj Fëmijëve, në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet e tjera jashtë BE-së, fëmijët-viktima të dhunës dhe shfrytëzimit seksual në internet kanë shumë pak informacion se ku duhet t’i raportojnë materialet me përmbajtje të dhunës seksuale me fëmijë, ndërsa agjensive të zbatimit të ligjit ju mungon përgatitja, mjetet dhe kapacitetet për të hetuar krime të tilla.

Kurdo të miratohet Rregullorja e re e BE-së – vendet jo anëtare të BE-së, veçanërisht ato në Ballkanin Perëndimor mund të ndikohen negativisht nga zhvendosja e aktiviteteve të lidhura me dhunën seksuale ndaj fëmijëve në internet në vendet e tyre. Për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi tepër serioz, ne ju bëjmë thirrje Ju dhe institucioneve të BE-së që të ndërmerrni masat e mëposhtme:

  • Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli i Bashkimit Europian duhet të nxisin dhe mbështesin të gjitha vendet anëtare të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe ato fqinje, në bashkëpunim me OJF-të lokale, për të përmirësuar legjislacionin e tyre kombëtar dhe për të vendosur të paktën të njëjtat standarde si projekt-rregullorja e BE-së. Përfshirja e kësaj çështje në kuadër të negociatave, por dhe të Procesit të Berlinit do të tregonte se fëmijët jashtë BE-së janë një prioritet për BE-në.
  • Komisioni i BE-së duhet të udhëheqë masat në nivel europian dhe global, duke sjellë së bashku vendet e Ballkanit Perëndimor, Këshillit të Europës, Komitetin e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, OSHC-të etj., për të diskutuar se si të mbrojmë fëmijët kudo në botë nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual në internet, përfshi edhe mundësinë e një Konvente të re për Parandalimin dhe Luftën kundër Abuzimit Seksual të Fëmijëve në Internet.

Ne besojmë se vetëm një përgjigje e mire-koordinuar në nivel europian dhe global mund t’i mbrojë fëmijët nga abuzimi seksual në internet dhe çdo formë tjetër e dhunës në internet.

Ky Peticion, mbështetet nga këto organizata, rrjete dhe grupime:

  1. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Albania)
  2. Linja Kombëtare e Ndihmës së Fëmijëve (ALO 116-111)
  3. Linja Kombëtare për Internet të Sigurt për Fëmijët (iSIGURT.al)
  4. Barnahus Albania
  5. Qendra e Këshillimit të Grave dhe Sherbimeve Sociale, Kukës
  6. ECPAT Türkiye
  7. Fondacioni Down Syndrome Albania
  8. Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën (SHKEJ)
  9. Rrjeti për të Drejtat e Fëmijëve në Greqi (NCR)
  10. Spletno oko, Slovenia
  11. EDguard, Kosovë
  12. ECPAT International
  13. Rrjeti për Arsimin në Shqipëri
  14. Shtëpia për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri
Facebook
LinkedIn
Twitter
WhatsApp

Të tjera

11/30/2025

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) vendosi masë administrative ndaj televizionit A2CNN, pas ankesës…

11/24/2025

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare Elhaida Dani ka bërë hapin e saj të…

11/20/2025

CRCA-ECPAT Shqipëri, ALO 116 dhe iSIGURT.al hapën sot zyrtarisht fushatën kombëtare kundër bullizmit…

11/20/2025

Në Ditën Botërore të Fëmijëve, Eurochild publikon raportin e saj kryesor, “Fëmijëri të…

11/20/2025

A e dini se deri rreth vitit 2010 Shqipëria përdorte versionin e Konventës…

11/05/2025

Pas më shumë se një dekade avokatësie nga CRCA-ECPAT Shqipëri, autoritetet në vend…